Për herë të parë në më shumë se një shekull, Aston Villa ka arritur të fitojë 10 ndeshje radhazi në kompeticionet zyrtare, pas triumfit 2-1 ndaj Manchester United në ‘Villa Park’. Ky sukses shënon vetëm fitoren e dytë të “Villans” në 27 përballjet e fundit në shtëpi kundër “Djajve të Kuq” në Premier League.
Para ndeshjes, mungesa e Kobbie Mainoo dominonte diskutimet, dhe kjo ndoshta ndikoi në nisjen e ngadaltë të United. Në fillim, Manchester United tentoi të kontrollonte lojën dhe rrezikoi Emiliano Martínez-n me një goditje të Benjamin Šeško-s, por pa sukses.
Gjithsesi, Morgan Rogers hapi serinë e golave për ‘Villans’ në pjesën e parë me një goditje të bukur nga e majta në këndin e sipërm të portës, duke mundur Lammens. Manchester United barazoi në minutat e fundit të pjesës së parë kur Matheus Cunha shfrytëzoi një gabim të Matty Cash dhe shënoi një gol perfekt nga jashtë zonës.
Në pjesën e dytë, Villa riktheu avantazhin me një tjetër goditje fantastike të Rogers, përsëri nga e majta, duke vulosur fitoren 2-1. United pati mundësi të barazonte me një kokë të Cunha-s, por gaboi një rast të qartë.
Ky sukses e vendos Aston Villën si një konkurrent serioz për titull dhe i jep ekipit besim për sfidat e ardhshme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: