Trajneri i Bologna-s, Vincenzo Italiano, ka dhënë deklaratat kryesore në prag të finales së Superkupës së Italisë kundër Napolit, duke theksuar motivimin maksimal dhe rëndësinë e madhe të ndeshjes.
“Jemi shumë të karikuar. Do të luajmë një finale historike për Bolonjën dhe për klubin. Duam të vëmë në vështirësi një skuadër të madhe dhe ta bëjmë krenare gjithë qytetin”, u shpreh Italiano.
Ai nënvizoi se sfida e Superkupës nuk ka lidhje me përballjet e kampionatit: “Kampionati është një histori, kjo është një tjetër. Këtu luhet për një trofe në 90 minuta dhe pesha është shumë e lartë”.
Sa i përket gjendjes emocionale të skuadrës, tekniku kuqeblu ishte i qartë: “Ankth jo. Ka pritje dhe emocione të mëdha, por mbi të gjitha përqendrim maksimal. Duhet të rikuperojmë energjitë dhe nesër në fushë do të zbresin ata që mund të japin performancë në nivel shumë të lartë”.
Italiano theksoi edhe mentalitetin për finalet: “Është e kotë të thuash ‘të qenët këtu është sukses’. Kur luan finale, dëshiron vetëm ta fitosh dhe ta ngresh trofeun. Këto janë ndeshje unike, emocione të jashtëzakonshme”.
Në fund, ai shprehu vlerësim për presidentin e Napolit: “De Laurentiis është një person që e respektoj shumë. I ka dhënë Napolit një rritje të jashtëzakonshme dhe gjithmonë ka treguar korrektësi”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: