Roy Keane, ish-legjenda e Manchester United, ka lëshuar deklarata shumë të forta ndaj Jordan-Hames Mainoo, vëlla i mesfushorit të ri, Kobbie Mainoo, pas barazimit spektakolar 4-4 të “Djajve të Kuq” kundër Bournemouth-it.
Shkak për reagimin e Keane u bë fakti që Jordan-Hames Mainoo u shfaq në tribunë me një bluzë ku shkruhej “Free Kobbie Mainoo”, një mesazh që sugjeronte pakënaqësi për hapësirat e pakta që lojtari po merr në ekipin e parë.
Kobbie Mainoo, vetëm 20 vjeç, po gjen shumë pak minuta këtë sezon: ka regjistruar 11 paraqitje në kampionat, të gjitha si zëvendësues, ndërsa ndeshjen e vetme si titullar e ka zhvilluar në fund të gushtit në Kupën e Ligës kundër Grimsby-t. Mesfushori anglez është gjithashtu në ‘radarët’ e Napolit, që po vuan mungesat në repartin e mesfushës.
Roy Keane nuk u përmbajt në komentet e tij: “Kur ke atë idiotin e vëllait që bën gjëra të tilla, as që duhet ta nderojmë me një vështrim. Sepse ndonjëherë je i rrethuar nga idiotë, sidomos në familje”, u shpreh irlandezi.
Më tej, Keane foli edhe për të ardhmen e Mainoo-s: “Nuk kam asgjë kundër huazimeve, ndonjëherë funksionojnë për të gjithë. Por shpeshherë, për një lojtar, sfida më e madhe është këtu te Manchester United: të arrish të futesh dhe të afirmohesh në ekipin e parë.”
Deklaratat e forta të Keane kanë ndezur debat në Angli, duke shtuar edhe më shumë presion rreth situatës së Kobbie Mainoo-s te Manchester United.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: