Zyrtare/ Caktohet data dhe stadiumi për ‘Finalissima’-n Spanjë–Argjentinë

Zyrtare/ Caktohet data dhe stadiumi për ‘Finalissima’-n Spanjë–Argjentinë

14:45, 18/12/2025

‘Finalissima’ është tashmë zyrtare. Pas muajsh të tërë kërkimesh për një datë të përshtatshme dhe javësh pasigurie për shkak të situatës së brendshme në Argjentinë, është konfirmuar përballja mes Spanjës dhe Argjentinës, pra kampiones së Evropës dhe kampiones së Amerikës së Jugut. Ndeshja do të zhvillohet më 27 mars, në Doha, Katar, në orën 19:00, sipas kohës së Evropës (21:00 me orën lokale).

UEFA dhe CONMEBOL, së bashku me federatat përkatëse RFEF dhe AFA, e zyrtarizuan këtë duel si një ngjarje të madhe sportive dhe komerciale. ‘Finalissima’ do të përballë dy përfaqësueset kryesuese të renditjes botërore dhe dy nga ‘yjet’ më të mëdhenj të futbollit aktual: Lamine Yamal dhe Lionel Messi.

Konfirmimi i ndeshjes kishte mbetur pezull edhe pse Spanja ishte kualifikuar për Kupën e Botës. Arsyeja lidhej me tensionet ekonomike të ngritura nga pala argjentinase, si edhe me çështje të brendshme në AFA, që është përfshirë në një hetim gjyqësor në vend. Pasi këto pengesa u tejkaluan, organizatorët më në fund dhanë dritën jeshile për shpalljen zyrtare.

Gjatë së njëjtës periudhë, të dyja kombëtaret do të zhvillojnë edhe nga një ndeshje tjetër miqësore në Doha: Spanja do të përballet me Egjiptin, ndërsa Argjentina do të luajë kundër Katarit.

Doha, organizatore e Kupës së Botës 2022, u përzgjodh si vendi pritës i këtij superdueli, pavarësisht interesimit të madh nga disa shtete të tjera. Edhe Arabia Saudite ishte një opsion serioz, por në fund u vendos që Spanjë–Argjentinë të luhet në Katar.

Edicioni i dytë i Finalissima-s

‘Finalissima’ u krijua si pjesë e bashkëpunimit mes UEFA-s dhe CONMEBOL-it, me synimin për të bashkuar më të mirën e futbollit evropian dhe atij të Amerikës së Jugut. Edicioni i parë u zhvillua në vitin 2022, kur Argjentina triumfoi 3-0 ndaj Italisë në “Ëembley”.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, u shpreh: “Kjo ndeshje simbolizon bashkimin e dy kontinenteve futbollistike dhe tregon përmasën globale të sportit tonë. Presim një mbrëmje të paharrueshme futbolli elitar dhe festë ndërkombëtare.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco