Barcelona nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për rinovimin e kontratës së Robert Lewandowski-t, pavarësisht thashethemeve për interesimin e disa klubeve të mundshme.
Klubi katalanas mbylli javën e kaluar rinovimin e Eric García-s, duke përfunduar kështu fazën strategjike të rinovimeve për të konsoliduar shtyllën kurrizore të skuadrës. Tashmë hapet një kapitull i ri me tre emra: Robert Lewandowski, Ferran Torres dhe Andreas Christensen. Barcelona po ecën me kujdes në këto tri çështje.
Lewandowski, i cili përfundon kontratën më 30 qershor, lidhet me klube të ndryshme evropiane si Milan, me futbollin arab dhe më së fundi me MLS, ku Miami dhe Chicago janë kandidatë. Megjithatë, Barcelona nuk ka nxitim për të marrë vendim. Drejtuesit e klubit, duke e vlerësuar eksperiencën mbi 15-vjeçare të sulmuesist, po marrin parasysh faktorë të tjerë të rëndësishëm: mosha (38 vjeç sezonin e ardhshëm) dhe dëmtimet, pasi këtë sezon ai ka pasur dy pushime për shkak të tyre.
Klubi dëshiron të shohë evoluimin e sezonit, si në aspektin e performancës ashtu edhe të gjendjes fizike të lojtarit, para se të marrë një vendim. Rregullorja e re e LaLigës mund të lehtësojë rinovimin, pasi paga e tij nuk do të llogaritej për Fair Play Financiar, por drejtuesit duhet të marrin parasysh të gjithë faktorët.
Ferran Torres ka kontratë deri në qershor 2027 dhe Barcelona po vlerëson një rinovim sipas performancës së tij, por pa u nxituar. Konkurenca midis Lewandowski-t dhe Torres-it favorizon performancën individuale dhe kolektive, duke ngritur nivelin e lojës së të dyve.
Ndërsa për Andreas Christensen, të cilit i përfundon kontrata në qershor, nuk ka pasur gjithashtu veprime nga klubi. Barcelona dëshiron të shohë përfundimin e sezonit, megjithëse ai mund të largohet gjatë verës, veçanërisht pasi klubi kërkon të shtojë një qendërmbrojtës dhe nuk ka hapësirë për Fair Play Financiar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: