Çerekfinalet e Carabao Cup i shërbyen Pep Guardiolës për të bërë rotacione dhe për t’u dhënë hapësirë rezervave dhe të rinjve të Manchester City-t në përballjen ndaj Brentfordit. Trajneri spanjoll ndryshoi shtatë lojtarë krahasuar me ndeshjen e fundit në kampionat kundër Crystal Palace dhe mori përgjigjen që priste: fitore 2–0 dhe një paraqitje bindëse, veçanërisht nga Rayan Cherki dhe Savinho.
Guardiola u ndal gjatë te braziliani Savinho, duke vlerësuar etikën e tij të punës dhe agresivitetin në lojë: ai sulmon vazhdimisht, kërkon gjithmonë topin dhe nuk ndalet kurrë. Edhe pse pranoi se vendimmarrja finale mund të përmirësohet, tekniku theksoi se kjo është diçka që vjen me kohën. Pavarësisht minutazhit të kufizuar në Premier League këtë sezon, Guardiola garantoi se klubi i beson shumë Savinhos, i cili mund të luajë në të dyja krahët dhe ka potencial për t’u bërë lojtar i nivelit shumë të lartë.
Fjalë edhe më entuziaste u kursyen për Rayan Cherki-n, autor i një goli spektakolar. “Edhe një person i verbër mund ta kuptojë sa i bukur ishte ai gol”, u shpreh Guardiola me buzëqeshje, duke theksuar se nuk ka nevojë të jesh trajner apo gazetar për ta vlerësuar një veprim të tillë. Trajneri i City-t shtoi se goli i Cherki-t e zhbllokoi ndeshjen dhe i dha qetësi skuadrës, duke u shprehur shumë i kënaqur me rritjen dhe ndikimin e francezit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: