Të gjitha ekipet e mëdha spanjolle kalojnë turin në Kupën e Mbretit dhe sigurojnë kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të finales. Real Madridi triumfoi 3–2 ndaj Talaveras, skuadër që militon në kategorinë e tretë spanjolle, në një ndeshje më të vështirë nga sa pritej. “Los Blancos” hodhën bazat e suksesit që në pjesën e parë falë golit të Kylian Mbappé-së dhe autogolit të Farrandos.
Në pjesën e dytë, në minutën e 35-të, Arroyo ngushtoi shifrat për vendasit, por sërish Mbappé, në minutën e 43-të, riktheu qetësinë duke realizuar golin e tij të dytë personal. Në sekondat e fundit të ndeshjes, Di Renzo shënoi në kohën shtesë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3–2, por pa ndryshuar fatin e kualifikimit.
Me të njëjtin rezultat kaloi turin edhe Atletico Madridi, i cili fitoi në transfertë ndaj Baleares. Skuadra e Diego Simeones shënoi dy herë brenda 20 minutave të para me Griezmann dhe Raspadori. Baleares reagoi dhe ngushtoi diferencën me golin e Bonet në minutën e 28-të. Në pjesën e dytë, Griezmann gjeti sërish rrugën e rrjetës, duke dyfishuar avantazhin e tij personal, ndërsa në kohën shtesë Keita realizoi nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 3–2.
Nga ana tjetër, Kupa e Mbretit rezervoi edhe surpriza. Sevilla u eliminua, pasi u mposht 1–0 në fushën e Alavesit. Jashtë garës mbeti edhe Villarreal-i, i cili u mund 2–1 nga Racing Santander, duke i dhënë fund rrugëtimit të tij në këtë edicion të kompeticionit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: