Tani është zyrtare: Carlos Alcaraz dhe Juan Carlos Ferrero i kanë dhënë fund bashkëpunimit të tyre pas më shumë se 7 vitesh së bashku. Kampioni spanjoll e ka bërë vetë të ditur lajmin përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke i dhënë lamtumirën trajnerit që e shoqëroi në gjithë rritjen e tij sportive.
“Është shumë e vështirë për mua ta shkruaj këtë postim. Pas më shumë se shtatë vitesh bashkë, Juanki dhe unë kemi vendosur t’i japim fund bashkëpunimit si trajner dhe lojtar”, shkruan Alcaraz. Tenisti 22-vjeçar falënderon Ferreron për faktin që e ka ndihmuar të kthejë ëndrrat e fëmijërisë në realitet, duke nënvizuar se rrugëtimi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm si brenda, ashtu edhe jashtë fushës.
Alcaraz thekson se ndarja vjen në momentin më të lartë të karrierës së tij: “Ia dolëm të arrinim majën dhe ndiej se, nëse rrugët tona sportive duhej të ndaheshin, duhej të ndodhte pikërisht atje ku gjithmonë kemi synuar”.
Në mesazhin e tij, numri 1 spanjoll i tenisit nënvizon edhe aspektin njerëzor të marrëdhënies: “Më ke bërë të rritem si sportist, por mbi të gjitha si njeri. Gjëja më e bukur është se e kam shijuar çdo hap të këtij rrugëtimi”.
Tani për Alcaraz dhe Ferreron hapet një kapitull i ri. “Po vijnë kohë ndryshimesh, aventura dhe projekte të reja, por jam i sigurt se do t’i përballojmë si gjithmonë, duke dhënë maksimumin”, përfundon Alcaraz, duke i uruar ish-trajnerit të tij më të mirat për të ardhmen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: