FIFA ka publikuar formacionin zyrtar të “Team of the Year”, por një përjashtim ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale. Sulmuesi brazilian i Barcelonës, Raphinha, nuk është përfshirë në ekipin më të mirë të vitit, pavarësisht shifrave mbresëlënëse të sezonit të kaluar, ku kontribuoi në 62 gola në 64 ndeshje me fanellën ‘blaugrana’.
Menjëherë pas publikimit të listës, bashkëshortja e futbollistit, Natalia Rodrigues, reagoi ashpër përmes një postimi emocional në rrjetet sociale. Ajo vuri në dyshim kriteret e përzgjedhjes së FIFA-s, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë.
“Pse Raphinha, i cili ka kontribuar në 62 gola në 64 ndeshje këtë sezon, nuk është në ‘Team of the Year’ të FIFA-s? Apo menduat se ishte basketbollist? Kjo është e padrejtë!”, shkroi Rodrigues, një mesazh që u përhap me shpejtësi dhe u mbështet nga shumë tifozë të Barcelonës dhe të futbollit në përgjithësi.
Raphinha ka qenë një nga lojtarët kyç të Barcelonës nën drejtimin e trajnerit aktual Hansi Flick, duke ofruar gola, asistime dhe një ndikim konstant në lojën ofensive të ekipit katalanas. Për këtë arsye, mungesa e tij në formacionin më të mirë të vitit është pritur me habi nga një pjesë e madhe e opinionit sportiv.
Formacioni i FIFA Team of the Year, ku Raphinha nuk gjeti vend, përbëhet nga: Gianluigi Donnarumma, Achraf Hakimi, Willian Pacho, Virgil van Dijk, Nuno Mendes, Cole Palmer, Jude Bellingham, Vitinha, Pedri, Lamine Yamal dhe Ousmane Dembélé.
Reagimi i bashkëshortes së Raphinha-s ka rikthyer edhe një herë debatin mbi kriteret e përzgjedhjes së çmimeve individuale dhe ekipore në futbollin modern.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: