Antonelli flet për të ardhmen në Formula 1: Ferrari është ëndërr, por jam mirë te Mercedes-i

Antonelli flet për të ardhmen në Formula 1: Ferrari është ëndërr, por jam mirë te Mercedes-i

08:50, 17/12/2025

Piloti italian Kimi Antonelli ka folur hapur për të ardhmen e tij në Formula 1, duke u ndalur te lidhja emocionale me Ferrarin, por edhe te besnikëria dhe ambicia që ka aktualisht me Mercedes-in. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Caschi d’Oro e Volanti ACI 2025”, Antonelli theksoi se ndihet mirënjohës për mundësinë që i ka dhënë skuderia gjermane.

“Të garosh për Ferrarin është diçka e mrekullueshme, por unë jam shumë i kënaqur aty ku jam dhe jam mirënjohës për besimin që më ka dhënë Mercedes. Ëndrra ime tani është të fitoj një Kampionat Botëror me ta, pastaj në të ardhmen do të shihet”, u shpreh ai për Sky.

Duke parë nga sezoni 2026, Antonelli nënvizoi se ndryshimet e mëdha rregullore do t’i vendosin të gjithë pilotët në të njëjtën pikë nisjeje.

“Në vitin 2026 do të nisim të gjithë nga zero. Askush nuk e di çfarë të presë nga makinat e reja. Kam punuar shumë në simulator, por është ende herët për të bërë parashikime. Do të ishte fantastike të luftoja për fitore dhe pse jo, për titullin”, tha talenti italian.

Sa i përket sezonit të sapopërfunduar, të mbyllur në vendin e shtatë, Antonelli e vlerësoi si përgjithësisht pozitiv, edhe pse pranoi se kishte hapësirë për më shumë. Ai theksoi se kapërcimi i një periudhe të vështirë e ndihmoi të rritej si pilot dhe si person, duke reflektuar drejtpërdrejt në paraqitjet e forta në pjesën e dytë të sezonit.

Në fund, Antonelli foli edhe për presionin dhe frikën para garave: “Momente të tilla ekzistojnë gjithmonë, sidomos frika për të gabuar ose për të mos qenë në nivel. Minutat para se të hipësh në makinë janë më të vështirat, por sapo përqendrohesh, mbetesh vetëm ti dhe makina”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco