Ish-kapiteni i Anglisë dhe legjenda e Chelsea-t, John Terry, ka bërë një rrëfim tronditës për periudhën e vështirë që përjetoi pas finales së Champions League 2008, të humbur ndaj Manchester United në Moskë. Gabimi i tij në penalltinë vendimtare, kur rrëshqiti gjatë goditjes dhe topi përfundoi në shtyllë, e la atë të zhytur në një krizë të thellë emocionale.
Terry ka pranuar se, menjëherë pas ndeshjes, mendja e tij u pushtua nga mendime shumë të rënda. Ai tregoi se, i kthyer në hotel dhe i vendosur në një kat të lartë, ndjeu një boshllëk të madh dhe pati pyetje të pafundme për veten dhe atë që kishte ndodhur në fushë. Sipas tij, ishin shokët e skuadrës ata që ndërhynë në kohë dhe e larguan nga ajo situatë delikate.
“Janë çaste kur ndihesh i humbur dhe nuk di çfarë të bësh”, ka rrëfyer Terry, duke theksuar se pesha e përgjegjësisë dhe zhgënjimi ishin të papërballueshme në ato momente.
Edhe sot, vite pas asaj finaleje, ai pranon se episodi vazhdon ta ndjekë. Me kalimin e kohës, dhimbja është zbutur, por nuk është zhdukur. Tashmë i tërhequr nga futbolli aktiv, pa adrenalinën e ndeshjeve, kujtimet i rikthehen më shpesh, sidomos gjatë natës.
“Është diçka që mbetet brenda teje. Mund të mësohesh me të, por nuk besoj se do të largohet ndonjëherë”, përfundoi ish-mbrojtësi i Chelsea-t, duke dhënë një dëshmi të fortë për anën e errët që shpesh fshihet pas botës së futbollit elitar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: