“Forca e kolektivit” është një koncept i njohur në sport dhe sot po merr gjithnjë e më shumë vlerë edhe në futboll. Me kalendarin e ngarkuar dhe numrin e madh të ndeshjeve, skuadrat që arrijnë të përfshijnë sa më shumë lojtarë në shënim kanë një avantazh të dukshëm në garën për rezultate të larta.
Në Itali, Interi dhe Juventusi janë në majë të kësaj statistike. Të dyja skuadrat kanë dërguar në gol nga 14 lojtarë të ndryshëm deri tani, në të gjitha kompeticionet. Për zikaltrit, pas një sezoni të kaluar ku lodhja u ndje ndjeshëm në momentet vendimtare, situata ka ndryshuar rrënjësisht: nga Pio Esposito te Ange-Yoan Bonny e Petar Sucic, edhe lojtarët e stolit po japin një kontribut konkret. Juventus arrin të njëjtin nivel, duke konfirmuar rëndësinë e alternativave dhe rotacionit.
Pas tyre vijnë Milani me 13 shënues të ndryshëm, ndërsa Napoli ndalet në kuotën 10. Në kampionatet e tjera të mëdha europiane, shifrat janë më modeste për disa gjigantë: Barcelona ka 11, Real Madridi 12, ndërsa Manchester City, Arsenal dhe Bayern Munich nuk kalojnë 13. Spikat Atletico Madrid me 15 lojtarë të ndryshëm që kanë shënuar, ndërsa Chelsea i Enzo Maresca arrin në 17, edhe pse ka zhvilluar dy ndeshje më shumë.
Megjithatë, rekordin absolut e mban Paris Saint-Germain. Skuadra e Luis Enrique, edhe për shkak të dëmtimeve, ka aktivizuar shumë lojtarë, përfshirë të rinj nga akademia, dhe rezultati është mbresëlënës: 19 shënues të ndryshëm në gjysmën e sezonit. Një shifër që pasqyron qartë filozofinë e PSG-së së re, ku kolektivi vlen më shumë se ‘yjet’. “Strength in numbers”, edhe në futboll.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: