Kampion i ri i Formula 1, Norris lëshon sfidën: Dua përballje me Hamiltonin

Kampion i ri i Formula 1, Norris lëshon sfidën: Dua përballje me Hamiltonin

18:30, 15/12/2025

Në moshën 26- vjeçare, Lando Norris është tashmë një veteran i vërtetë i Formulës 1.

Britaniku garon në elitë që nga viti 2019 dhe falë sezonit të tij spektakolar 2025, ai është bërë një nga pilotët e paktë aktivë që mund të mburret me një titull kampioni bote.

Të tjerët janë Luis Hamilton, Fernando Alonso dhe Maks Vershtapen.

Pikërisht piloti holandez ishte ai që ia rrëmbeu kurorën Norrisit në vitin 2024, por këtë sezon renditja u përmbys. Megjithatë, diferenca ishte minimale: vetëm 2 pikë ndanë Landon nga Maksi (423 kundrejt 421), diferenca më e vogël që nga sezoni 2008, kur titulli u vendos me vetëm 1 pikë.

Talenti nga Bristoli u shpall kampion bote në Abu Dabi, duke u bërë piloti i tetë që fiton një titull me MekLarenin.

Lista e paraardhësve të tij është mbresëlënëse: Emerson Fitipaldi, Xhejms Hant, Alen Prost, Niki Lauda, Airton Senna, Mika Hakinen dhe Luis Hamilton. Norris i bashkohet këtij klubi elitar me meritën shtesë se i ka dhënë fund dominimit të dyfishtë të Red Bullit dhe Mercedesit, pasi që nga viti 2009 vetëm pilotë të këtyre dy skuadrave kishin fituar kampionatin.

Çfarëdo që të sjellë e ardhmja, Norris tashmë ka hyrë në histori. Prandaj, kur pyetet për një dëshirë për sezonin e ardhshëm, përgjigjja e tij surprizon.

Dhe, për të qenë realistë, realizimi i saj duket i vështirë duke parë nivelin që ka treguar Hamilton me Ferrarin, pa asnjë podium në 24 gara me ngjyrat e Maranelos.

“Do të më pëlqente shumë të luftoja pak më shpesh kundër Luisit. Hamilton ka treguar se është, ndoshta, më i miri i të gjitha kohërave. Të gjithë e dinë se nëse dikush mund të rikthehet pas viteve të vështira, ai është zoti Hamilton dhe do të doja të kisha më shumë beteja me të”, u shpreh Norris për “Sky Sports F1”. Më pas, piloti i MekLarenit shtoi: “Është gjithmonë një privilegj të garosh kundër dikujt që është më i miri në botë. Në pistë ke disa pilotë të tillë të jashtëzakonshëm: Fernando Alonso, Luis Hamilton dhe Maks Vershtapen… Shumë prej nesh duam të ndjekim hapat e tyre”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco