Milani ndalet sërish, këtë herë ndaj Sassuolos, dhe humbet një tjetër rast të artë për të grumbulluar pikë të plota. Barazimi 2-2 i shtohet një serie ndeshjesh zhgënjyese kundër skuadrave të konsideruara më të vogla, ku kuqezinjtë kanë pësuar plot 10 nga 13 golat e pranuar deri tani në kampionat. Megjithatë, ndjesia e përgjithshme është se problemi kryesor nuk qëndron te mbrojtja, por te faza sulmuese.
Skuadra e Massimiliano Allegri-t duket se vuan mungesën e një qendre të vërtetë sulmi. Me Leãon jashtë për shkak të një lodhjeje muskulore dhe me Gimenez që mungon prej më shumë se një muaji për një problem misterioz në kyçin e këmbës, pesha e sulmit kundër Sassuolos iu besua Pulisic-it dhe Nkunku-së. Por sidomos pas daljes së amerikanit nga loja, Milani humbi forcën dhe praninë në zonë.
Ajo që i mungon Milanit është një “numër 9” klasik: një lojtar që të mbushë zonën, të fitojë duelet ajrore, të luajë me shpinë nga porta dhe t’i japë frymëmarrje skuadrës. Kundër ekipeve që mbyllen, manovra e kuqezinjve bëhet e parashikueshme dhe mungesa e krosimeve apo e një pike reference në zonë e bën gjithçka më të vështirë.
Allegri ka bërë maksimumin duke përshtatur Leãon si sulmues qendror dhe duke shfrytëzuar fleksibilitetin e Pulisic-it, por për të luftuar realisht për titull, në janar klubi duhet të ndërhyjë në merkato. Nkunku, i blerë për 40 milionë euro, vazhdon të zhgënjejë dhe nuk duket zgjidhja e duhur.
Emrat që qarkullojnë janë të njohur: Joshua Zirkzee, në largim nga Manchester United, dhe Niclas Füllkrug, që mund të largohet nga West Hami në formë huazimi. Më të ftohta janë pistat argjentinase për Mateo Pellegrino-n dhe Mauro Icardi-n, ndërsa kohët e fundit është përmendur edhe Gabriel Jesus nga Arsenali.
Dy pikë të tjera u hodhën poshtë kundër Sassuolos dhe ndjesia është e qartë: pa një qendërsulmues të mirëfilltë, këto ndalesa mund të përsëriten dhe në fund të sezonit mund të peshojnë shumë rëndë për Milanin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: