Unitet i pathyeshëm te Real Madridi në momentet e vështira, Xabi Alonso: Jemi të gjithë bashkë

Unitet i pathyeshëm te Real Madridi në momentet e vështira, Xabi Alonso: Jemi të gjithë bashkë

08:49, 15/12/2025

Fitorja 2-1 e Real Madridit në transfertë ndaj Alavesit uli ndjeshëm presionin mbi Xabi Alonson, por trajneri spanjoll theksoi se përtej rezultatit, ajo që e mban skuadrën të fortë është uniteti i brendshëm.

“Jemi të gjithë në këtë rrugë bashkë, si në momentet e mira, ashtu edhe në ato jo të mira”, u shpreh Alonso pas ndeshjes. “Sot skuadra konkurroi shumë mirë, duke pasur parasysh rrethanat. Uniteti është themelor. Është e vetmja mënyrë që puna e përditshme të na sjellë përmirësimin që kërkojmë.”

Tekniku madrilen pranoi se paraqitja e fundit ndaj Celtës nuk ishte në nivelin e duhur: “Ajo ndeshje nuk ishte e mirë, na munguan shumë gjëra. Sot, megjithatë, pamë disa elementë pozitivë. Disa janë absolutisht të domosdoshëm në çdo ndeshje, të tjerat duhet ende t’i përmirësojmë për të fituar dhe për të vazhduar të fitojmë.”

Alonso insistoi te nevoja për vazhdimësi në La Liga: “Na duhet rregullsi dhe konsistencë. Nëse kjo shërben si mësim, atëherë nuk duhet ta harrojmë.”

Trajneri vlerësoi edhe debutimin e Valdepeñas, i cili u aktivizua për herë të parë me fanellën e Real Madridit: “E përgëzoj jo vetëm për debutimin, por edhe për ndeshjen që zhvilloi. Ishte konkurrues dhe shumë konstant. Të debutosh me Real Madridin është gjithmonë një ditë e veçantë.”

Në fund, Alonso nënvizoi se një fitore e vetme nuk mjafton: “Jemi shumë të fokusuar, luajmë çdo tri ditë. Tani kemi Kupën dhe më pas ndeshjen në shtëpi ndaj Sevillas. Rruga është ende e gjatë, por ky ishte një moment i rëndësishëm. Duhet të ndërtojmë mbi gjërat e mira që bëmë sot.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco