Ousmane Dembélé dhe Kylian Mbappé janë dy kandidatët kryesorë për fitimin e çmimit prestigjioz të FIFA-s, “The Best Player Award”, sipas asaj që raporton e përditshmja franceze ‘Le Parisien’.
Dembélé vjen në këtë garë me një avantazh të rëndësishëm simbolik, pasi në muajin shtator u shpall fitues i Topit të Artë, falë një sezoni shumë të suksesshëm me PSG-në, ku ishte vendimtar si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane. Paraqitjet e tij konstante dhe ndikimi në lojën ofensivë e kanë vendosur atë në qendër të vëmendjes botërore.
Nga ana tjetër, Kylian Mbappé e mbylli sezonin e kaluar si fitues i Këpucës së Artë Europiane, pasi shënoi më shumë gola se çdo lojtar tjetër në pesë ligat kryesore të Europës. Sulmuesi francez vazhdon të konfirmohet si një makineri golash dhe një lider absolut në repartin ofensiv, tashmë si pjesë e Real Madridit pas transferimit të tij në sezonin 2024/25.
Dy ‘yjet’ francezë kanë ndarë më parë të njëjtën fanellë te PSG-ja dhe vazhdojnë të jenë bashkëlojtarë te përfaqësuesja e Francës, ku përbëjnë një dyshe të frikshme në sulm. Rivaliteti i tyre sportiv, megjithatë, mbetet i hapur dhe mjaft intrigues.
Mbetet për t’u parë se cili prej tyre do të bindë më shumë votuesit për të rrëmbyer çmimin individual më të rëndësishëm të FIFA-s, në një garë që pritet të jetë shumë e fortë deri në fund.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: