Torino është rikthyer te fitorja në Serie A pas një periudhe të gjatë pa sukses, duke mposhtur minimalisht Cremonesen me rezultatin 1-0 në ndeshjen e zhvilluar në shtëpi. Vendimtar për “granata”-t ishte Nikola Vlašić, i cili realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 27-të.
Aksioni i golit erdhi pas një kombinimi të saktë, me Duván Zapata që shërbeu asistin dhe kroati që goditi bukur me të majtën, duke e dërguar topin në rrjetë me një vole të saktë. Ky gol rezultoi i mjaftueshëm për t’i dhënë Torinos tri pikë shumë të rëndësishme.
Në këtë ndeshje, Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani luajtën titullarë në radhët e Torinos, me mesfushorin që u zëvendësua vetëm në minutën e fundit nga Ilkhan.
Në pjesën e dytë, Cremonese u përpoq të reagonte, duke hedhur në fushë edhe ish-lojtarin e Torinos, Sanabria, por pa arritur të ndryshonte fatin e ndeshjes. Mbrojtja e vendasve u tregua e kujdesshme dhe e organizuar, duke ruajtur epërsinë deri në fishkëllimën përfundimtare.
Falë kësaj fitoreje, Torino e drejtuar nga Marco Baroni i jep fund një serie negative, pasi suksesi i fundit në kampionat datonte më 26 tetor, në fitoren 2-1 ndaj Genoas. Tashmë “granata”-t ngjiten në kuotën e 17 pikëve, duke u afruar në vetëm tri pikë larg skuadrës së drejtuar nga Davide Nicola.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: