Massimiliano Allegri ka komentuar pritshmëritë rreth garës për titullin kampion në Serie A, duke pranuar se Interi dhe Napoli konsiderohen me të drejtë favoritët kryesorë. Në konferencën për shtypin në prag të sfidës ndaj Sassuolos, trajneri i Milanit theksoi se renditja e sezonit të kaluar flet vetë për peshën e dy rivalëve.
“Interi dhe Napoli ishin përkatësisht të dytët dhe të parët sezonin e kaluar, ndaj është normale që të konsiderohen favoritë për titullin”, u shpreh Allegri. Sipas tij, Milani ka kaluar një fazë ndryshimesh të rëndësishme, me shumë lojtarë të rinj që janë bashkuar me elementë me përvojë, duke ndërtuar gradualisht një identitet të ri skuadre.
Tekniku kuqezi theksoi se objektivi kryesor i sezonit është rikthimi në Champions League, duke nënvizuar se rruga është ende e gjatë. “Është e vërtetë që kemi 31 pikë dhe jemi në krye, por kampionati është shumë i gjatë. E rëndësishme është të mbërrijmë në muajin mars në gjendjen më të mirë të mundshme”, shtoi ai.
I pyetur për mungesat në repartin ofensiv, Allegri u tregua realist: deri në janar nuk mund të ketë përforcime dhe zgjidhjet do të vijnë nga brenda grupit. Për momentin, fokusi mbetet te ndeshja e radhës, ndërsa vetëm më pas Milani do të mendojë për Superkupën dhe udhëtimin drejt Riadit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: