Policia katalanase ka vënë në pranga pesë tifozë ultras të Eintracht Frankfurtit pas incidentit të ndodhur në “Camp Nou”, gjatë ndeshjes së zhvilluar mes Barcelonës së Hansin Flick dhe skuadrës gjermane. Ngjarjet kanë krijuar tension në shkallët e stadiumit, duke çuar në ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit.
Sipas autoriteteve spanjolle, personat e arrestuar po hetohen për vjedhje dhe përvetësim të paligjshëm të sendeve, akuza që pritet të sqarohen më tej gjatë procesit hetimor. Policia është duke shqyrtuar gjithashtu mundësinë që 12 persona të tjerë të jenë të përfshirë në incident, duke e zgjeruar kështu hetimin.
Këto sjellje të dhunshme dhe të papranueshme në stadium rrezikojnë të sjellin pasoja edhe për vetë klubin gjerman. UEFA ka nisur shqyrtimin e rastit, teksa mund të vendosë sanksione disiplinore ndaj Eintracht Frankfurtit për sjelljen e tifozëve në një ndeshje zyrtare të Champions League-s.
Incidenti ka prishur atmosferën sportive të një sfide të rëndësishme europiane, ndërsa autoritetet spanjolle dhe ato të futbollit europian pritet të ndërmarrin masa të mëtejshme për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: