‘Profecia’ e Jürgen Klopp-it: Ke probleme me Mo Salah vetëm kur ai nuk luan

‘Profecia’ e Jürgen Klopp-it: Ke probleme me Mo Salah vetëm kur ai nuk luan

17:50, 11/12/2025

Ish-trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp, ka marrë pjesë në një dokumentar të BBC-së, dedikuar egjiptianit Mohamed Salah, duke dhënë një seri komentesh që, edhe pse janë regjistruar muaj më parë, tingëllojnë si parathënie e tensioneve të fundit mes egjiptianit dhe trajnerit aktual, Arne Slot.

Klopp foli me admirimin e zakonshëm për Salah, duke theksuar mentalitetin dhe rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm.

“Ne të gjithë ndikohemi nga e kaluara jonë: mënyra si jemi rritur, vendi ku kemi jetuar,” – u shpreh Klopp.

“Mo e kuptoi shumë herët se duhej të punonte më shumë se të tjerët. Ai gjithmonë përparonte. Kurrë nuk ndalej. Ky është mentaliteti i tij.”

Ish-trajneri gjerman tregoi se çdo verë Salah kthehej në stërvitje me aftësi të reja, sikur e kishte kaluar gjithë pushimin duke përmirësuar një element specifik të lojës së tij.

“Ne e shtynim njëri-tjetrin që të mos ndaleshim kurrë. Ajo Premier League që fituam së bashku është një moment që do të na lidhë përgjithmonë. Do të kujtohet si një nga më të mirët e të gjitha kohërave.”

Klopp pranoi se egjiptiani nuk është gjithmonë i thjeshtë për t’u menaxhuar, por theksoi se problemet lindin vetëm kur ai nuk është në fushë:

“Unë nuk do të thosha se është i lehtë për t’u menaxhuar, por nuk është as i vështirë. Ke probleme me Mo Salah vetëm nëse nuk po luan ose nëse e zëvendëson.”

Edhe pse Klopp dhe Salah patën disa episode të vogla pakënaqësie kur ‘ylli’ egjiptian zëvendësohej, ato rrallëherë u bënë publike dhe zakonisht u zgjidhën menjëherë.

Situata është e ndryshme këtë sezon. Tashmë 33 vjeç, Salah ka deklaruar se “nuk ka asnjë marrëdhënie” me Arne Slot, pasi trajneri holandez e la në stol për tri ndeshje radhazi. Pas deklaratës së tij të bujshme pas humbjes ndaj Leeds, ai humbi edhe sfidën ndaj Interit dhe duket e pamundur që të luajë kundër Brighton-it.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco