Milani ka marrë lajme pozitive lidhur me gjendjen fizike të Rafael Leao-s, i cili u detyrua të linte fushën që në minutat e para të ndeshjes së fituar ndaj Torinos. Sulmuesi portugez i është nënshtruar paraditen e sotme ekzaminimeve mjekësore, të cilat kanë sqaruar përfundimisht situatën: bëhet fjalë për një shqetësim muskulor, por pa dëmtime.
Në komunikatën zyrtare të klubit theksohet:
“Rezonanca magnetike e zhvilluar sot, pas ndjesisë së shqetësimit në aduktorin e djathtë gjatë ndeshjes Torino–Milan, përjashtoi praninë e dëmtimeve muskulore. Leao ka nisur terapitë e nevojshme për të qetësuar inflamacionin.”
Edhe trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, përmes zëvendësit të tij Marco Landucci, kishte shprehur besimin se situata nuk do të ishte serioze. Kryesorja u konfirmua sot: portugezi ka shpëtuar nga një dëmtim i rëndë, por do të monitorohet nga dita në ditë për të shmangur çdo rrezik rikthimi.
Megjithatë, aktivizimi i tij në sfidën e radhës, atë kundër Sassuolos më 14 dhjetor, duket pak i mundshëm. Stafi teknik dhe ai mjekësor i kuqezinjve pritet të mos rrezikojnë, me synimin që Leao të rikuperohet plotësisht për ndeshjen shumë të rëndësishme: gjysmëfinalen e Superkupës së Italisë ndaj Napolit më 18 dhjetor.
Për Milanin, ky është një lehtësim i madh, pasi mungesa e Leao-s do të ishte një goditje e rëndë në këtë fazë të sezonit. Tashmë, kuqezinjtë shpresojnë ta kenë numrin 10 në formën më të mirë pikërisht në momentin kur do të vendosen objektiva të rëndësishme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: