Trajneri i Flamurtarit, Françesko Moriero, shpërtheu me tone të ashpra pas humbjes së thellë ndaj Dinamos, duke e cilësuar rezultatin si pasojë e gabimeve të përsëritura individuale dhe mungesës së karakterit në fushë. Ai u shfaq i zhgënjyer dhe i irrituar nga mënyra se si skuadra u dorëzua, sidomos në pjesën e dytë.
Moriero theksoi se pjesa e parë ishte e qëndrueshme taktikisht, por tri gabime sollën tre gola: “Më vjen shumë keq, sepse djemtë u impenjuan. Por të humbësh kështu është e tepruar. Marrim gol në gabimin e parë dhe kjo përsëritet çdo javë.” Ai shtoi se problemi nuk është skema, por qasja mentale dhe mungesa e luftës në duele.
Trajneri pranoi se ka në dispozicion lojtarë me karakteristika të caktuara dhe se kërkon më shumë personalitet në fushë: “Futbolli nuk është vetëm me raste e gabime, por me sjellje dhe karakter. Më shqetëson fakti që disa lojtarë ecin në fushë.” Moriero deklaroi se po mërzitet duke marrë fajin për të tjerët dhe paralajmëroi vendime të rëndësishme gjatë kësaj jave.
Ai kujtoi se gabimet janë përsëritur ndaj Partizanit, Tiranës, Vorës dhe Elbasanit, ndërsa vetëm në ndeshjen me Vllazninë skuadra kishte arritur të mos gabonte dhe të rrezikonte seriozisht fitoren. “Duhet 100% nga të gjithë. Nuk mund të pësojmë tre gola në shtëpi dhe të mos luftojmë deri në fund.”
Në fund, Moriero u shpreh hapur se pritshmëritë në Vlorë janë të larta: “Kemi presidencë që investon dhe publik të jashtëzakonshëm. Duhet shumë karakter dhe të kesh b... për të luajtur te Flamurtari, dhe disa prej lojtarëve nuk po e tregojnë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: