Elbasani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme 1-0 ndaj Vllaznisë, një rezultat që e forcon edhe më shumë në krye të renditjes. Pas ndeshjes, trajneri Ivan Gvozdenoviç u shfaq i kënaqur me paraqitjen dhe profesionalizmin e skuadrës, duke theksuar se në këtë fazë të kampionatit çdo pikë ka peshë të madhe.
Gvozdenoviç vuri në dukje vlerën e kundërshtarit: “Kam shumë respekt për Vllazninë dhe tifozët e saj. Ishte derbi për vend të parë dhe një ndeshje shumë e fortë. Ne tani kemi 29 pikë, katër më shumë se Shkodra, dhe kjo është shumë e rëndësishme.” Ai shtoi se luajtja në shtëpi e bënte detyrim fitoren, ndaj edhe përgëzoi lojtarët për qetësinë dhe vendosmërinë.
Trajneri shpjegoi edhe zgjedhjet taktike, sidomos pas kartonit të kuq: “Me një lojtar më shumë, u hodhëm në presing ultra-ofensiv dhe kaluam në 3-4-3. Në pjesën e dytë u detyruam të ndryshojmë për shkak të Lajthinës, që nuk ishte gati të vazhdonte.” Ai kujtoi se ndaj Teutës skuadra kishte mungesa në staf, gjë që ndikoi në performancë, ndërsa sot ekipi ishte plotësisht i fokusuar dhe reagoi si duhet.
Në lidhje me presionin e kryesimit, Gvozdenoviç u tregua i matur: “Po, jemi mësuar me vendin e parë, nuk është java e parë. Por kampionati është i gjatë. Kemi edhe tri ndeshje deri në fund të vitit dhe duhet të jemi me këmbë në tokë, javë pas jave.” Trajneri serb theksoi se ekipi do të vazhdojë të punojë me qetësi, ndërsa peng mbetet humbja ndaj Vorës në shtëpi, që sipas tij ende i shqetëson.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: