Rayan Cherki shkëlqeu sërish me një moment magjik në fitoren 3-0 të Manchester City ndaj Sunderland, duke dhuruar një asist që vetëm lojtarët me cilësi të jashtëzakonshme mund ta prodhojnë. Në minutën e 65-të, talenti francez realizoi një ‘rabona’ perfekte, duke e dërguar topin te Phil Foden, i cili shënoi me kokë dhe vulosi triumfin e City-t.
Pas ndeshjes, trajneri Pep Guardiola nuk i kurseu komentet për këtë shpërthim kreativiteti nga Cherki. “Jo, nuk e kam parë më parë ta bëjë këtë. Ky është rasti i parë,” – tha Pep. “Ai ka një cilësi të veçanta, unike. Ndonjëherë e do dhe ndonjëherë e urren,” – shtoi ai me humor, duke nënvizuar karakterin e paparashikueshëm të lojtarit të ri.
Guardiola vlerësoi qetësinë dhe personalitetin që Cherki tregoi në zonën e fundit të fushës: “Na ndihmoi shumë në mënyrën si luajtëm, sidomos në të tretën e fundit të fushës. Ai ka diçka që ia kanë dhënë mamaja dhe babai.”
Megjithatë, Pep nuk ngurroi të theksonte se kreativiteti duhet të shoqërohet me efikasitet. “Unë dua të bëjë një krosim të mirë. Nëse e provon dhe nuk e bën si duhet, nuk më pëlqen. As Messi nuk i bënte këto gjëra,” tha ai. “Messi është lojtari më i mirë i historisë, sepse gjërat e thjeshta i bën në mënyrë perfekte.”
Sipas Guardiolës, lojtarë si Cherki duhet të mësojnë pikërisht këtë aspekt të thjeshtësisë dhe vazhdimësisë në lojë. “Ai është shumë i ri. Erdhi këtë sezon dhe që në fillim tregoi se ka personalitet. Nuk ka frikë, e provon dhe e bën,” e përmbylli trajneri i City-t.
Një fjalë është e sigurt: kur Cherki frymëzohet, futbolli bëhet spektakël.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: