Manchester City mori fitoren e tretë brenda një jave, duke triumfuar 3-0 ndaj Sunderland-it në ‘Etihad’ dhe duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi në Premier League. Pas humbjes së Arsenalit më herët, City e dinte se një fitore do t’i afronte vetëm dy pikë nga kreu, dhe skuadra e Pep Guardiolës e nisi ndeshjen me kontroll total të lojës. Përkundër dominimit, “Qytetarët” hasën vështirësi në çarjen e mbrojtjes së fortë të mysafirëve, me Erling Haaland që humbi një asist të artë të Cherkit.
Manchester City – Sunderland 3-0
Zhbllokimi erdhi pas gjysmë ore lojë, kur Rúben Dias lëshoi një goditje spektakolare nga 30 metra për 1-0, një gol “alla-Kompany”. Vetëm katër minuta më vonë, Joško Gvardiol dyfishoi epërsinë me një goditje të fuqishme me kokë pas krosimit të Phil Foden, duke çuar City-n në 18 gola të shënuar në pjesët e para këtë sezon, më së shumti në ligë.
Në pjesën e dytë, Sunderland-i u rrit ndjeshëm dhe krijoi tri raste të mira: Isidor u ndal nga Donnarumma, ndërsa Xhaka goditi shtyllën. Por gjithçka u shua në minutën e 65-të, kur Cherki prodhoi një moment magjik me një rabona-krosim perfekt për Foden, i cili shënoi për 3-0. Francezi ishte i pandalshëm dhe iu afrua golit personal, por Roefs reagoi mirë.
City menaxhoi lojën deri në fund duke dhënë sinjale force në garën për titull, ndërsa Sunderland, që tashmë bie në vendin e shtatë, do të kërkojë ringritjen në derbin e madh kundër Neëcastle javën e ardhshme.
Skuadra e Pep Guardiolës përfitoi si nga humbja e Arsenalit me Aston Villa-n ashtu edhe nga barazimi pa gola i Chelsea-t në fushën e Bournemouth-it, duke ngushtuar me vetëm 2 pikë diferencën me Topçinjtë, që kryesojnë renditjen e Premier League-s me 33 pikë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: