Shorti për raundin e 1/16-ve të Kupës së Gjermanisë doli tejet i favorshëm për Vincent Kompany dhe Bayern Munich. Pas zhgënjimit të pësuar kundër Arsenalit në Ligën e Kampionëve, bavarezët u rikthyen te fitorja në Bundesligë ndaj St. Pauli, duke ruajtur epërsinë ndaj ndjekësve të tyre dhe duke marrë frymëmarrje të rëndësishme psikologjike.
Tani, skuadra po përgatitet për sfidën e sotme ndaj Union Berlinit në Kupën e Gjermanisë, një ndeshje që pritet të kërkojë seriozitet maksimal. Bayern ka pesë vite që nuk e prek finalen e turneut, ndaj dëshira për ta thyer këtë “thatësirë” është e madhe. “Kjo fitore nuk do të na dërgojë menjëherë në finale, por do të na afrojë me të”, – u shpreh Kompany në konferencë.
Trajneri belg theksoi se fjala “finale” tingëllon bukur, por rruga deri atje kërkon shumë më tepër se dëshirë: “Gjithmonë mund të thuhet se duam të fitojmë gjithçka, finale pas finaleje. Por duhet punë e madhe, duhet qëndrimi i duhur. Nëse sot tregojmë se sa të uritur jemi për finalen, e di që mund ta arrijmë.”
Finalja e Kupës së Gjermanisë mbetet një nga objektivat kryesorë të sezonit dhe Kompany është i qartë për këtë: “Nuk ka alternativë tjetër, edhe ne e ndiejmë. Por përpara duhet të japim shembull në fushë. Shpresoj shumë që sot të tregojmë sa fort duam të jemi pjesë e finales.”
Megjithatë, Kompany tha se nuk po ndien presion negativ përpara sfidës eliminatore. Përkundrazi, sipas tij, presioni është një motor shtytës për skuadrën: “Është presion i mirë, madje mund të rritet edhe më shumë. Jemi të përgatitur për gjithçka. Ky lloj presioni zakonisht na bën më të fortë.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: