Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 14-të e protestave kundër Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Stadiumi i famshëm në Itali do të rrënohet

Stadiumi i famshëm në Itali do të rrënohet

19:27, 02/12/2025

Sa herë që zhvillohet një turne i madh futbolli, një vend fillon përgatitjet vite më herët. Dhe zakonisht, ata nisin duke rinovuar stadiumet ekzistuese.

Megjithatë, ndodh shpesh që kostoja e rinovimit të një stadiumi bëhet më e lartë se kostoja e ndërtimit të një stadiumi më të madh.

Në këtë mënyrë, stadiumet e vjetra ‘zhduken’ dhe zëvendësohen me të reja. E njëjta gjë po ndodh në Itali.

Sipas “The Sun”, një impiant i madh futbolli italian është në rrezik të largohet përgjithmonë nga horizonti i qytetit, teksa përgatitjet për Euro 2032 po intensifikohen.

“Stadio Marcantonio Bentegodi” në Verona, dikur skenë e momenteve ikonike të Italia ’90, tani po përballet papritur me një të ardhme të pasigurt.

I ndërtuar në vitin 1963 dhe aktualisht shtëpia e Hellas Veronas, stadiumi me 39,000 vende priti të gjitha ndeshjet e fazës së grupeve të Belgjikës dhe humbjen dramatike të Spanjës ndaj Jugosllavisë në raundin e 1/8-ës në Kupën e Botës 1990.

Por më shumë se gjashtë dekada më vonë, mosha dhe gjendja e tij janë bërë një shqetësim i madh.

Italia, që po synon të bashkë-organizojë Euro 2032 së bashku me Turqinë, ka nevojë për stadiume moderne, të sigurta dhe fitimprurëse për të plotësuar kërkesat e UEFA-s.

Rinovimi i “Bentegodit” do të kushtonte rreth 300 milionë euro.

Është një shifër që kryebashkiaku i Veronës, Damiano Tomassi, thotë se e bën projektin të paarritshëm.

Ish-mesfushori i Italisë beson se shembja dhe rindërtimi i plotë do të ishte më e sigurt, më e lirë në afat të gjatë dhe më e përshtatshme për kërkesat moderne.

Megjithatë, edhe kjo zgjidhje përballet me pengesa financiare. Italia ka vetëm 200 milionë euro fonde qeveritare të disponueshme për përmirësimin e stadiumeve në nivel kombëtar.

Dhe vetëm “Stadio Olimpico” kërkon gjysmën e kësaj shume. Pa një investitor të madh privat, progresi duket i pamundur.

Hellas Verona ka paraqitur tashmë planet për një stadium të ri multi-përdorimësh, të projektuar për të pritur koncerte dhe evente jashtë futbollit, por një projekt i tillë do të kërkonte rreth 200 milionë euro.

Sërish, nevojitet mbështetje publike. Gjatë ndërtimit, klubi do të zhvendosej përkohësisht në një impiant më të vogël në qytet.

Për momentin, e ardhmja e një prej stadiumeve klasikë të futbollit italian mbetet pezull.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco