Moggi tregon prapaskenat: Rrengu i pabesë që transferoi Nedved-in tek Juventusi

Moggi tregon prapaskenat: Rrengu i pabesë që transferoi Nedved-in tek Juventusi

10:55, 01/12/2025

Luciano Moggi ka rrëfyer një nga lëvizjet më të famshme të karrierës së tij: transferimi i Pavel Nedved nga Lazio tek Juventusi në verën e vitit 2001. Ish-drejtori bardhezi zbulon se çeku, fillimisht, nuk kishte asnjë dëshirë të largohej nga Roma.

“Nuk ishte çështje parash,” – kujton Moggi. – “Pavel më thoshte: Drejtor, faleminderit, por jam i lumtur te Lazio. Jetoj pranë fushave të golfit, familja është e qetë, pse të iki?”

Telefonatat e para nuk dhanë rezultat, por Moggi nuk e pranon dot dorëzimin. “Kur gjithçka duket e humbur, pikërisht atëherë duhet të luftosh”, shprehet ai.

Atëherë lindi ideja gjeniale. Moggi e telefonoi Nedved-in sërish, teksa ai ishte me pushime në Pragë:

“Pavel, bëj një shëtitje në Torino. Jo për të firmosur, thjesht për të parë qytetin. Po dërgoj një avion privat, s’do ta marrë vesh askush.”

Dhe aty filloi rrengu. Në momentin që Nedved pranoi udhëtimin, Moggi njoftoi mediat: “Po vjen Nedved!”

Kur lojtari zbriti nga avioni në Torino, e priti një turmë gazetarësh. Moggi thotë se bëri sikur u habit e u zemërua, por në brendësi “kërcente nga gëzimi”.

Vendimtare ishte vizita te Circolo Golf Torino, një nga fushat më të bukura të Padana-s. “Sytë e tij shkëlqyen,” – tregon Moggi. – “Aty kuptova se e kishim fituar pothuajse.”

Pjesën tjetër e bëri reagimi i tifozëve të Lazios, që e kthyen nga idhull në tradhtar pas fotografive të tij në Torino. Presioni u rrit derisa, më 4 korrik, Nedved u dorëzua:

“OK, firmos për Juventusin.”

Moggi thekson se ai transferim ishte fitore e të dyja palëve: Nedved me bardhezinjtë fitoi thuajse gjithçka, duke kurorëzuar aventurën me Topin e Artë 2003.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco