Nicola Pietrangeli, një nga figurat më të rëndësishme në historinë e tenisit italian, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare. Ai mbetet i vetmi italian i përfshirë në Hall of Fame të tenisit botëror dhe lojtari i parë i Italisë që fitoi një turne Grand Slam. Pietrangeli triumfoi dy herë në Roland Garros, në vitet 1959 dhe 1960, periudhë në të cilën u vlerësua si numri 3 në botë. Në karrierën e tij fitoi gjithsej 48 tituj, ndër ta dy trofe në Internazionali d’Italia, si dhe medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare të vitit 1963 dhe medaljen e bronztë në çift së bashku me Orlando Sirola-n.
Pietrangeli ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në Kupën Davis, ku mban rekordin botëror për më shumë ndeshje të luajtura (164) dhe më shumë fitore si në lojën teke ashtu edhe në çift. Në dyshe me Sirola-n formoi një nga çiftet më të suksesshme të historisë, me 34 fitore në 42 ndeshje. Megjithatë, trofeun e Kupës Davis e fitoi vetëm si kapiten i ekipit italian, në vitin 1976.
Në vitet e fundit, Pietrangeli përjetoi një dhimbje të madhe pas humbjes së djalit të tij më të vogël, Giorgio. Në një intervistë ai kishte shprehur me ironi dhe dhembje dëshirën që të mund të ishte dëshmitar i funeralit të tij, duke treguar se ceremonia do të mbahej në stadiumin që mban emrin e tij në Foro Italico.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: