Polemikat e shpërthyera pas ndeshjes Manchester City–Leeds mund të sjellin një ndryshim të rëndësishëm në rregulloren e futbollit anglez. Fitorja 3-2 e City-t u pasua nga një shpërthim i ashpër i trajnerit të Leeds-it, Daniel Farke, i cili akuzoi Pep Guardiolën se “shmangu rregullat” duke përfituar nga dëmtimi i Gianluigi Donnarummas për të marrë avantazh taktik.
Aktualisht, kur një lojtar i fushës ka nevojë për kujdes mjekësor, ai duhet të largohet nga fusha për 30 sekonda, por ky rregull nuk zbatohet për portierët. Sipas Farke, ky është një boshllëk që mundëson sjellje jo në frymën e fair play-it, duke ngadalësuar lojën dhe duke u dhënë trajnerëve mundësi për të riorganizuar skuadrën në momente të ndjeshme të ndeshjes.
BBC raporton se institucionet drejtuese të futbollit britanik po shqyrtojnë tani masa të reja. Ndër propozimet është mundësia që një lojtar i fushës të detyrohet të dalë jashtë linjës anësore kur portieri merr trajtim, në mënyrë që të shmangen avantazhet taktike. Një tjetër ide, që po fiton mbështetje, është ndalimi i lojtarëve për t’iu afruar vijës anësore gjatë minutave kur portieri është në tokë.
Farke ishte i prerë në fund të ndeshjes: “Të gjithë e dinë pse ra në tokë, mund të simulohet një dëmtim për të fituar më shumë biseda taktike. Por a është kjo vërtet në frymën e fair play-it?”
Qëndrime të ngjashme ka shprehur edhe Danny Murphy, ish-lojtar i Liverpoolit, i cili mbështet futjen e një zgjidhjeje “më të drejtë për të gjithë”. Nëse miratohet, reforma mund të ndryshojë disa dinamika të lojës, duke kufizuar abuzimet dhe duke forcuar frymën e lojës së ndershme.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: