Napoli e ka gjetur më në fund “gardianin” e përsosur për portën e tij. Vanja Milinkovic-Savic po justifikon plotësisht 22 milionët e shpenzuara gjatë verës, duke u kthyer në një faktor vendimtar në sukseset e ekipit të Antonio Conte-s.
Në fitoren 1-0 ndaj Lecce-s, portieri serb u bë protagonist absolut, duke pritur penalltinë e Francesco Camarda-s pak para se Anguissa të shënonte golin e tri pikëve. Sipas të dhënave të Opta-s, Milinkovic ka pritur pesë nga nëntë penalltitë e fundit në Serinë A, një statistikë mbresëlënëse që e vendos ndër më të mirët në Evropë.
Që nga sezoni i kaluar, vetëm Nikola Vasilj (6) ka ndalur më shumë penallti se ai (5) ndër pesë kampionatet kryesore europiane. Kjo aftësi e jashtëzakonshme për të lexuar kundërshtarët dhe për të reaguar me shpejtësi e ka bërë ish-portierin e Torinos një “specialist” të vërtetë të 11-metërshave.
Sezoni i kaluar ishte një dëshmi e qartë: Milinkovic ishte portieri më i mirë i Serisë A në pritjen e penalltive, me katër raste të shpëtuara, një shifër që në dekadën e fundit e kishte arritur vetëm Gigio Donnarumma.
Për Napolin, investimi duket më se i justifikuar. Me Meret të dëmtuar për rreth një muaj, Conte ka në dispozicion një portier të klasit të lartë, i cili jo vetëm garanton siguri, por mund të bëjë diferencën në ndeshjet më të vështira. Milinkovic-Savic, më shumë se një zëvendësues, një siguri absolute për kreun e Serisë A.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: