Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Haciosmanoglu, bëri të ditur se nga 571 gjyqtarët që veprojnë në ligat profesionale të Turqisë, nga ata të nivelit më të lartë deri te asistentët, 371 prej tyre kanë llogari bastesh, ndërsa 152 prej tyre vënë baste në mënyrë aktive.
Në një konferencë për shtypin të mbajtur në Stamboll, Haciosmanoglu deklaroi se i ka dhënë urdhra të drejtpërdrejtë Komisionit Disiplinor për të vepruar menjëherë ndaj të përfshirëve.
“Këto raste do t’u përcillen organeve hetimore dhe përgjegjësit do të marrin sanksionet e përshtatshme në përputhje me rregulloren tonë,” – tha ai.
Sipas nenit 57 të Rregullores Disiplinore të TFF-së, gjyqtarët e përfshirë mund të pezullohen nga ndeshjet ose t’u ndalohet arbitrazhi për një periudhë që varion nga tre muaj deri në një vit.
Hetimi, i cili është zhvilluar për disa muaj në bashkëpunim me autoritetet shtetërore, ka zbuluar shifra alarmante: dhjetë gjyqtarë kanë kryer më shumë se 10.000 baste, ndërsa njëri prej tyre kryeson listën me 18.227 bileta bastesh të vendosura.
“Sot është një ditë historike për futbollin turk, një moment zero. Kemi filluar pastrimin brenda shtëpisë sonë,” – deklaroi kreu i federatës.
“Ne kemi bërë edhe një vetëvlerësim, përfshirë drejtuesit, dhe rezultatet do t’i bëjmë publike së shpejti.”
Rasti shfaqet në një klimë gjithnjë e më të madhe mosbesimi ndaj arbitrimit turk. Sipas gazetës ‘El Mundo Deportivo’, klubet kanë paraqitur ankesa të shumta për vendime të gabuara, dhe janë duke u shqyrtuar propozime për përdorimin e gjyqtarëve të huaj në garat kryesore.
Në shkurt të vitit 2025, slloveni Slavko Vinçiç gjykoi derbin ndërmjet Galatasaray-t dhe Fenerbahçe-s, duke u bërë gjyqtari i parë i huaj në 55 vjet që drejton një “klasike turke”, një sinjal i qartë i krizës së besueshmërisë që po kalon sistemi i arbitrimit në Turqi.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: