Në prag të “El Clásico”-s së shumëpritur mes Real Madridit dhe Barcelonës, Marcus Rashford ka folur për ESPN rreth emocioneve që po përjeton përpara përballjes së tij të parë si protagonist në këtë sfidë legjendare. Sulmuesi anglez, që po kalon një formë të shkëlqyer me 5 gola dhe 6 asistime në 12 ndeshjet e para të sezonit, është huazuar te Barcelona nga Manchester United, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.
“Nëse ka një ndeshje që duhet parë patjetër, ajo është ‘El Clásico’ — ndeshja më e rëndësishme në botën e futbollit,” – tha Rashford. “Për mua do të jetë diçka e pabesueshme të jem pjesë e saj, por mbi të gjitha dua ta fitojmë. Dua që kjo ndeshje të mbetet e paharrueshme për mua.”
Anglezi foli edhe për zgjedhjen e tij për t’u bashkuar me skuadrën e Hans-Dieter Flick:
“Në vitet e fundit kam ndjekur shumë Barcelonën dhe gjithmonë kam menduar se është ekipi i përsosur për stilin tim të lojës. Shpesh njerëzit e harrojnë, por unë kam kaluar mbi 23 vjet te Manchester United. Kisha nevojë për një ndryshim ajri dhe këtu jam i lumtur çdo ditë për mënyrën si po shkojnë gjërat.”
Në fund, Rashford la të hapur derën për të ardhmen, por me tone që duken shumë pozitive për një qëndrim të mundshëm në “Camp Nou”:
“Më pëlqen shumë kjo skuadër dhe mendoj se për këdo që e do futbollin, Barcelona është një nga klubet më të rëndësishme në historinë e këtij sporti. Për një lojtar, është një nder i madh të luash këtu.”
Rashford do të jetë një nga figurat kyçe të katalanasve në “El Clásico”-n e së dielës, ku synon të shkruajë kapitullin e parë të lavdisë së tij në fanellën ‘blaugrana’.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: