Projekti ambicioz/ Nje ligë si NBA edhe në Europë, viti 2027 afati më i hershëm për edicionin e parë

Projekti ambicioz/ Nje ligë si NBA edhe në Europë, viti 2027 afati më i hershëm për edicionin e parë

15:01, 09/10/2025

NBA, EuroLeague dhe FIBA zhvilluan të mërkurën, më 8 tetor, në Gjenevë, takimin e tyre të dytë zyrtar për të diskutuar mbi krijimin e një divizioni evropian të mbështetur nga NBA, i cili mund të nisë që në tetorin e vitit 2027.

Sipas gazetës L’Équipe, projekti parashikon një garë me 16 ekipe, nga të cilat 12 do të jenë anëtare të përhershme, ndërsa katër të tjera do të ndryshojnë çdo sezon. Presidenti i NBA Europe, George Aivazoglou, konfirmoi se viti 2027 mbetet afati më i hershëm për startin e kompeticionit, teksa po vazhdon puna për ndërtimin e një plani të përbashkët bashkëpunimi mes tri organizatave.

Ky takim pason bisedimet e para të zhvilluara në maj në Zvicër, të cilat shënuan fillimin e koordinimit zyrtar mes NBA-së, FIBA-s dhe EuroLeague-s. Projekti përshkruhet si iniciativa më serioze deri tani për të afruar strukturat e NBA-së dhe FIBA-s me klubet evropiane, me synimin për të riformuar basketbollin profesionist në Evropë.

Në listën e mundshme të klubeve që mund të përfshihen janë Real Madrid dhe Paris Saint-Germain, që pritet të jenë ndër emrat më të mëdhenj të përfaqësuar në garë. Në Francë, grupi amerikan EuroStep Ventures është në bisedime për një investim të mundshëm në ekipin Metropolitans, pasardhës të skuadrës së dikurshme të Victor Wembanyama-s.

Megjithëse takimi u përshkrua si “pozitiv”, mbeten ende sfida të pazgjidhura, si përputhja e kalendarit me afatet e FIBA-s, tarifat e pjesëmarrjes dhe mënyra e integrimit të EuroLeague-s në formatin e ri.

Divizioni evropian do të ndjekë modelin e Basketball Africa League, duke kombinuar mbështetjen e NBA-së, strukturën e FIBA-s dhe tregun e konsoliduar të EuroLeague-s. Çdo klub do të ketë pronësi lokale, por do të funksionojë nën një sistem të përbashkët financiar dhe transmetimi.

Komisioneri i NBA-së, Adam Silver, e ka cilësuar këtë projekt si pjesë të vizionit afatgjatë ndërkombëtar të NBA-së, ndërsa zëvendëskomisioneri Mark Tatum po udhëheq bashkëpunimin me autoritetet evropiane. Silver theksoi se viti 2027 është një objektiv ambicioz, por realist.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco