Novak Djokovic është bërë protagonist i një episodi shqetësues gjatë ndeshjes kundër gjermanit Yannick Hanfmann në Mastersin 1000 të Shangait. Kampioni serb, pas një lodhjeje të madhe dhe për shkak të lagështisë së lartë, është ndalur për disa minuta pasi ka vjellë në fushë, por më pas ka arritur ta përfundojë sfidën me fitore.
Pas ndeshjes, 38-vjeçari nga Beogradi nuk i ka kursyer kritikat ndaj organizatorëve të turneut dhe ndaj ATP-së:
“Kushtet janë brutale. Ka 80% lagështi dhe për ata që luajnë ditën, nën diell, është gati e pamundur. Është e rrezikshme për shëndetin tonë,” – tha Djokovic, duke kërkuar që ATP të marrë masa më serioze për menaxhimin e motit ekstrem.
Djokovic nuk është i vetmi që ka reaguar. Jannik Sinner u detyrua të dorëzohej kundër Tallon Griekspoor, pasi u rrëzua në fushë. Edhe Holger Rune ka shpërthyer kundër ATP-së:
“Pse nuk ka një rregull për nxehtësinë? Prisni që dikush të vdesë në fushë?” – deklaroi danezi për televizionin TV2, duke treguar se kishte pasur vështirësi serioze në frymëmarrje dhe se mjekët e ndihmuan ta kalonte momentin kritik.
Në listën e lojtarëve që janë detyruar të tërhiqen për shkak të kushteve ekstreme janë shtuar edhe David Goffin, që la ndeshjen pas vetëm tri ‘game’-esh, dhe çeku Tomáš Macháč, që u ndal në mes të setit të dytë kundër Valentin Vacherot.
Këto episode kanë hapur një debat të gjerë në botën e tenisit për mungesën e rregullave të qarta mbi kufizimin e lojës në temperatura dhe lagështi ekstreme. Lojtarët kërkojnë që ATP të ndërhyjë menjëherë për të shmangur situata të rrezikshme për shëndetin e tyre.
Djokovic e përmbylli me një mesazh të qartë:
“Ne jemi profesionistë, por nuk jemi makina. Ka një kufi që nuk duhet kaluar. Në këtë turne, ai kufi është tejkaluar.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: