Presidenti aktual i Barcelonës, Joan Laporta, ka akuzuar paraardhësin e tij, José Maria Bartomeu, dhe bordin e tij drejtues për pagesa të dyshimta komisionesh që, sipas tij, kanë sjellë një dëm prej 30 milionë eurosh për klubin katalanas.
Sipas asaj që raporton radio Cadena SER, Gjykata e 16-të Hetimore e Barcelonës ka hapur procedim ndaj ish-presidentit (2014–2020), i cili do të dëshmojë më 24 tetor. Bartomeu dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për administrim të pandershëm, përvetësim të fondeve dhe kontabilitet të rremë.
Hetimi lidhet kryesisht me transferimet e Antoine Griezmann dhe Malcom. Francezi u ble nga Atlético Madrid në vitin 2019 për 120 milionë euro, por tri vite më vonë u shit përsëri tek madrilenët për vetëm 22 milionë. Edhe braziliani Malcom u afrua në vitin 2018 nga Bordeaux për 41 milionë euro, por një vit më vonë u transferua te Zeniti me një shifër të ngjashme, pa lënë gjurmë te ‘blaugranat’.
Përveç Bartomeut, edhe ish-drejtori ekzekutiv i klubit, Óscar Grau, pritet të paraqitet në gjykatë për të dhënë llogari mbi këto operacione financiare.
Ky proces gjyqësor pritet të hapë një tjetër kapitull polemikash në historinë e Barcelonës, ku menaxhimi financiar i drejtuesve të kaluar është shpesh vënë në dyshim dhe ka sjellë pasoja të rënda për gjendjen ekonomike të klubit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: