Dimarco 'thumbon' Inzaghi-n: Chivu më ka rikthyer besimin, të luash 90 minuta bën diferencën

Dimarco 'thumbon' Inzaghi-n: Chivu më ka rikthyer besimin, të luash 90 minuta bën diferencën

16:19, 29/09/2025

Federico Dimarco po kalon një moment pozitiv tek Interi, mes golave, asisteve dhe një forme fizike gjithnjë e më në rritje. Pas realizimit kundër Sassuolos dhe asistit për Espositon ndaj Cagliarit, mbrojtësi i majtë zikaltër foli në prag të ndeshjes së dytë të Champions League kundër Slavia Pragës, duke theksuar rëndësinë e trajnerit të ri Christian Chivu:

“Chivu po na jep shumë. Ai po më ndihmon të rigjej besimin që kisha humbur muajt e fundit. E kuptoj që nuk kam dhënë të njëjtin rendiment si në tri vitet e gjysmë të shkuara te Interi, por ndodh. Po e tejkaloj këtë moment me ndihmën e trajnerit dhe shokëve të skuadrës. E kaluara është e kaluar, nuk flasim më për të. Edhe këtë vit kemi nisur nga e para me një trajner të ri dhe stimuj të rinj. Po rritemi dhe kjo duket qartë”, tha Dimarco.

Mbrojtësi i majtë hodhi edhe një “thumb” ndaj ish-trajnerit Inzaghi, duke nënvizuar rëndësinë e minutazhit të plotë:

“Çfarë ka ndryshuar? Nga ana ime asgjë, gjithmonë jam stërvitur 100%. Thjesht ka qenë zgjedhje e trajnerit që më linte jo më shumë se një orë në fushë. Të luash 90 minuta të ndihmon të rritesh në aspektin fizik, ndryshe nga kur je i sigurt që do të zëvendësohesh pas 60 minutash.”

Nga aspekti personal, Dimarco kaloi te kolektivi:

“Rritja e kësaj skuadre është nën sytë e të gjithëve. Duhet të japim maksimumin në Champions, duke nisur që nga nesër. Me Ajax-in treguam forcën tonë. Jemi një ekip i fortë, e kemi merituar vendin tonë dhe do të luftojmë për të shkuar sa më larg. Sot kërkojmë shumë më tepër lojën vertikale, por baza e ndërtuar ndër vite nuk është humbur.”

Në fund, Dimarco foli edhe për talentin e ri Pio Esposito, me të cilin ka një lidhje të veçantë:

“Është një djalë i ri, i përkushtuar, që punon shumë dhe përmirësohet çdo ditë. Po bën gjithçka për t’u bërë një sulmues i nivelit europian, por duhet lënë të rritet pa presione. E njoh që kur ishte 5 vjeç, sepse vëllezërit tanë luanin bashkë. Ne italianët e kemi ndihmuar të integrohet, por merita është e tij.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco