Ekipi i mundjes në Kukës përgatitet mes shumë vështirësive për kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet në Rumani. Reshjet e shumta kanë përmbytur sallën e mundjes poshtë tribunës së stadiumit “Kukës Arena”, duke dëmtuar tapetin e stërvitjes dhe pajisjet sportive
Syri TV
Stërvitjet e ekipit të mundjes në Kukës janë kthyer në një betejë me kohën dhe kushtet e vështira. Reshjet e shumta kanë përmbytur sallën e mundjes poshtë tribunës së stadiumit “Kukës Arena”, duke dëmtuar tapetin e stërvitjes dhe pajisjet sportive. Uji ka depërtuar përmes shkallëve, duke krijuar një ambient të papërshtatshëm dhe rrezik për sportistët që përgatiten për garën e rëndësishme.
Në mungesë të kushteve normale, sportistët dhe trajnerët janë detyruar të largojnë ujin me mjete të thjeshta, duke luftuar me kohën për të mos humbur asnjë seancë stërvitore. Ky është një problem serioz që kërcënon përgatitjet për Kampionatin Ballkanik, ku do të marrin pjesë dy ekipe nga Kukësi - i vajzave dhe i djemve.
Megjithatë, pavarësisht sfidave dhe kushteve të pafavorshme, mundësit janë të vendosur dhe të motivuar për të dhënë më të mirën e tyre dhe për të përfaqësuar dinjitetshëm sportin e mundjes në këtë garë rajonale që do të zhvillohet në Rumani nga 7 deri më 12 tetor 2025.
Ndërkaq trajnerët Sadik Domi dhe Ali Cenaj kanë dërguar edhe një shkresë në bashkinë Kukës për ndërhyrje dhe pajisje në palestrën e tyre, por kërkesat e tyre nuk kanë mbetur pa përgjigje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: