Fundjava në Japoni mund të rezultojë vendimtare për MotoGP. Marc Marquez, pilot spanjoll i Ducati-t, ka mundësinë të shpallet kampion bote për herë të tetë në karrierë, nëse arrin tri pikë më shumë se rivali i tij Alex. Në konferencën për shtypin para garës, ai u shpreh i qartë për objektivat: “Dua ta mbyll këtu, në Motegi. Synimi im është fitorja. Do të ishte mënyra më e mirë për të mbyllur një cikël pas viteve të vështira”.
Marquez kujtoi periudhën e errët me dëmtimet dhe vështirësitë personale, duke e parë këtë titull si një lloj rilindjeje: “Kjo është si një jetë e dytë për mua në MotoGP. Titulli i parë në vitin 2013 ishte më i rëndësishmi, por ky do të ketë një kuptim tjetër, sepse më lejon të kthej faqen pas periudhave të vështira”.
Spanjolli pranoi se edhe këtë herë emocionet janë të forta, por fokusi i tij mbetet te gara: “E di që Alex do të jetë i shpejtë, por unë dua të luftoj për fitoren dhe ta mbyll kampionatin. E rëndësishme është të shohim hap pas hapi, të shtunën kemi prova dhe Sprint që do të jenë vendimtare, pastaj do të shohim të dielën”.
Në konferencë foli edhe Marco Bezzecchi, që vjen pas një fundjave pozitive në Misano: “Jam optimist, edhe pse kjo është pista ime e parë me Aprilia-n. Nuk mendoj për vendin e tretë në renditje, por dua të vazhdoj me ritmin e mirë të garave të fundit”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: