Një episod i rëndë dhune ka ndodhur në një ndeshje të kampionatit komunal të futsalit në Treviso, Santa Catarina të Brazilit, ku përplasja sportive u shndërrua në një skenë kaotike të kronikës së zezë. Dueli mes Amigos da Pelada dhe Bugres FC po shkonte drejt fundit kur tensionet shpërthyen papritur.
Gjithçka nisi pas një kontakti mes lojtarit Vandre Zanelatto dhe Robinson, i cili i veshur me fanellë të kuqe, tentoi t’i merrte topin kundërshtarit. Pas një dueli, Zanelatto mbeti në tokë, por në vend që të largohej, Robinson u rikthye dhe i dha një shkelm të fortë në kokë. Ky gjest i dhunshëm nxiti menjëherë një rrahje masive mes lojtarëve dhe tifozëve.
Pamjet filmike tregojnë qartë momentet dramatike: pas ndërhyrjes së gjyqtarit dhe daljes me karton të kuq, Robinson u përball me protestat e publikut, gjë që shkaktoi një kaos total. Tifozët dhe lojtarët u përfshinë në një përleshje të dhunshme me grushte e shkelma, duke e kthyer parketin në një skenë të shëmtuar.
Pas incidentit, klubi i Amigos da Pelada lëshoi një komunikatë duke dënuar sjelljen e lojtarit të tyre dhe duke kërkuar dënime të rënda: “Asnjë sport nuk pranon akte të tilla, jemi thellësisht të turpëruar”.
Autoritetet lokale të Trevisos gjithashtu dënuan ngjarjen, duke theksuar se dhuna e tillë nuk dëmton vetëm viktimën, por minon vetë vlerat e sportit si mjet për integrim shoqëror dhe shëndet.
Ky incident ka ngritur alarmin për masat e sigurisë dhe disiplinës në garat lokale, duke rikthyer në qendër debatin mbi edukimin sportiv dhe respektin në fushë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: