‘Talenti zviceran rrëfen historinë e tij: nga gjashtë muajt e vështirë në Milano, te pengu bardhezi, e deri te kthimi në shtëpi ku ka gjetur sërish lumturinë dhe fitoret.’ Kështu e nis ‘Gazzetta dello Sport’ një intervistë dedikuar futbollistit të lindur në Gjilan.
Nga Kosova në botë
Xherdan Shaqiri është një histori tipike e brezit të tij. I lindur në Kosovë nga prindër shqiptarë që emigruan në Zvicër për punë, ai u bë qytetar i botës që në fëmijëri. Karriera e tij e çoi në gjashtë vende të ndryshme, me shumë gjuhë dhe përvoja. Sot, në moshën 33-vjeçare, ka gjetur “Itakën” e tij në Bazel, qyteti ku u kthye pas 15 sezonesh udhëtime dhe ku ka rifituar që në vitin e parë.

Lumturia e gjetur te Bazeli
“I jam rikthyer gëzimit. Falë Bazelit kam rigjetur motivimin dhe buzëqeshjen. Ndihem si një gjeni i çmendur. Sezoni i kaluar tregoi që ende kam cilësinë për të bërë diferencën”, tha ai.
Shaqiri pranoi se dëmtimet e shpeshta e kanë ndjekur gjatë gjithë karrierës: “Kush e di çfarë karriere do të kisha bërë pa problemet fizike. Ishte e vështirë, por tani jam sërish mirë dhe i lumtur”.
Përvoja tek Interi dhe Mancini
Në janar të vitit 2015, ai mbërriti tek Interi, i bindur nga Roberto Mancini: “Mancini më telefonoi dhe më bindi për pesë minuta. Më tha që do të isha pjesë qendrore e projektit. Por në fund nuk luajta shumë. Kisha edhe problemet fizike, por mendoj se meritova më shumë hapësirë”.
Për skuadrën e asaj kohe ai thotë: “Ishte një nga Interët më të dobët të 15 viteve të fundit, pa ekuilibër dhe pa kampionë. Nuk ishim ndërtuar për të fituar”. Megjithatë kujton një grup të mirë shokësh, ku spikasnin Kuzmanovic, Nagatomo, Juan Jesus dhe Dodò.
Për Mancinin ruan respekt: “Mund të më kishte aktivizuar më shumë (qesh), por kam shumë vlerësim për të si trajner”.
Episodi i “magjistarit”
Shaqiri zbuloi edhe një episod të veçantë: “Më çuan te një ‘magjistar’ që, sipas tyre, kishte kuruar edhe Fenomenin Ronaldo. Edhe Mancini më tha ta provoja. Shkova një orë e gjysmë me makinë, por nuk shërbeu për asgjë. Ishte një përvojë katastrofale”.
Mundësia e humbur te Juventusi
“Para se të shkoja tek Interi, mund të isha numri 10 i Juves. Më donin për të zëvendësuar Diegon. Te Bayerni nuk po luaja shumë dhe isha gati për t’u transferuar. Do të më kishte pëlqyer, por nuk ndodhi. Sot, gjithsesi, në Itali bëj tifozllëk për zikaltrit”.
Për futbollin italian
Shaqiri e ndjek ende Serinë A: “Interi është një skuadër e madhe dhe duhet gjithmonë të synojë titullin. Ka mbajtur kampionët dhe është forcuar. Edhe pse ka ndryshuar trajner, mund të fitojë titullin. ‘San Siro’ është një plus i jashtëzakonshëm, një stadium që të jep emocion kur është plot”.

Trajnerët dhe shokët e mëdhenj
Për trajnerin më të mirë ai nuk ka dyshime: “Guardiola, për taktikën dhe vizionin. Ai revolucionarizoi futbollin gjerman. Por dua të përmend edhe Ottmar Hitzfeld-in, një njeri i madh dhe një trajner i shkollës së vjetët”.
Sa për shokët, ai e veçon Ribery: “Nga stërvitja e parë më la pa fjalë. Jashtë ishte gjithmonë i qeshur, në fushë një bishë. Një nga njerëzit më të mirë që kam takuar në futboll”.
Krenaria e fanellës zvicerane
“Zvicra dhe Kosova janë dy vendet e zemrës sime, që tregojnë historinë e familjes sime. Të vishja fanellën e Zvicrës ishte një nder i madh. Luan për shtëpinë, familjen, kujtimet. Dhe luaj gjithmonë edhe për prindërit e mi”.
E ardhmja
Në moshën 33-vjeçare Shaqiri nuk mendon ende për tërheqjen: “Kam ende shumë për të dhënë. Dua të fitoj dhe të kënaqem akoma. Pas futbollit shoh veten në botën e biznesit, kam nisur disa projekte, por, për momentin, futbolli është ende prioriteti. Dua të tregoj se jam ende një gjeni i çmendur”.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: