Futbolli portugez është në zi pas një ngjarjeje tragjike të ndodhur në Porto. Një fëmijë 7-vjeçar, pjesë e ekipit U-8 të Boavista-s, humbi jetën të martën pas një ndalese kardiake gjatë stërvitjes pranë stadiumit “Bessa”.
Sipas klubit, i mituri sapo kishte nisur nxehjen kur papritur u rrëzua në fushë. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë me ndihmë të specializuar dhe përdorimin e një defibrilatori, ndërsa më pas mbërritën edhe ekipet e emergjencës. Pas përpjekjeve të gjata për reanimim, ai u transportua në gjendje kritike në spitalin “São João”, ku, pavarësisht ndihmës mjekësore, vdiq në orët e mbrëmjes.
Në komunikatën zyrtare, Boavista theksoi se lojtari ndodhej në sezonin e tij të dytë me klubin dhe kishte kryer të gjitha kontrollet mjekësore përpara regjistrimit. Nuk ekzistonte asnjë e dhënë për ndonjë problem shëndetësor që mund ta pengonte në aktivitetin sportiv.
“Është një humbje e madhe dhe një dhimbje e pamatë. Klubi shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, shokët e skuadrës, miqtë dhe trajnerët, duke siguruar mbështetje psikologjike për të gjithë ata që janë prekur”, shkruhet në njoftim.
Boavista shpalli tri ditë zie zyrtare dhe anuloi të gjitha seancat stërvitore, duke garantuar se kujtimi dhe buzëqeshja e vogëlushit do të mbeten përherë si frymëzim për klubin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: