Thomas Tuchel ka nisur aventurën e tij në stolin e Anglisë me tri fitore në po aq ndeshje, por pavarësisht rezultateve pozitive, trajneri gjerman ende nuk ka arritur të fitojë plotësisht simpatinë e opinionit sportiv britanik. Kritikat kanë ardhur kryesisht për stilin e lojës dhe mungesën e spektaklit, veçanërisht kundër kundërshtarëve më modestë.
Në mbrojtje të tij ka dalë Wayne Rooney, ish-‘yll’ i Manchester United dhe legjenda e përfaqësueses angleze. Duke folur për BBC, Rooney e vlerësoi lart trajnerin gjerman:
“Unë mendoj se Tuchel është një trajner i nivelit të lartë. Ndoshta ai ka qenë i zhgënjyer nga mënyra se si skuadra ka luajtur, por këto ndeshje janë të veçanta dhe shpesh nuk kanë shumë kuptim”.
Rooney iu referua sfidave të fundit kundër Shqipërisë, Letonisë dhe Andorrës, ku Anglia dominoi, por hasi vështirësi për të thyer mbrojtje të ngjeshura:
“Kur ke dhjetë lojtarë pas topit, është gjithmonë e vështirë të gjesh hapësira, pavarësisht se kush është kundërshtari. Nuk është kurrë e thjeshtë të sfidosh ekipe që mbyllen prapa”.
Sipas tij, gjykimi i vërtetë mbi punën e Tuchel-it duhet bërë në ndeshjet kundër rivalëve më të fortë:
“Do të jetë e rëndësishme të shohim Anglinë kundër skuadrave të mëdha, por unë jam i bindur se Tuchel do të bëjë shumë mirë”, përfundoi Rooney.
Kështu, mes kritikave dhe dyshimeve, ish-kapiteni i “Tre Luanëve” ka dhënë një mesazh mbështetjeje për trajnerin gjerman, duke kërkuar më shumë durim dhe besim në procesin e ri që po ndërton kombëtarja angleze.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: