Futbolli brazilian rikthehet në qendër të polemikave për shkak të basteve. Këtë herë në shënjestër është sulmuesi i Flamengos, Bruno Henrique, 34 vjeç, dy herë fitues i Copa Libertadores.
Lojtari akuzohet se është ndëshkuar me karton të verdhë me qëllim, për të favorizuar disa bastexhinj të afërt me të. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë Sportive në Brazil e ka dënuar me 12 ndeshje pezullim dhe një gjobë prej 11.000 dollarësh. Për më tepër, mbi të rëndon edhe akuza për mashtrim sportiv, që mund t’i kushtojë nga dy deri në gjashtë muaj burg.
Dyshimet janë forcuar nga fakti se, sipas hetimeve, kunata, vëllai dhe kushërira e tij kishin hapur një llogari në një faqe bastesh vetëm një ditë para ndeshjes së diskutueshme, Flamengo – Santos.
Henrique i ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka bërë me dije se do të apelojë, por rasti i tij ka rikthyer fuqishëm debatin mbi fenomenin e ndeshjeve te trukuara, i cili prej vitesh ndot futbollin brazilian.
Vetëm dy vite më parë, në pranverën e vitit 2023, hetimi i quajtur “Penalidade Máxima” zbuloi një rrjet kriminal që kishte manipuluar të paktën 13 ndeshje të Serie A dhe Serie B, me ndihmën e disa lojtarëve që provokonin me qëllim kartonë apo ndikonin në rezultatin final. Aksioni çoi në pezullimin e shtatë futbollistëve dhe gjoba që varionin nga 10.000 deri në 70.000 realë.
Megjithëse qeveria braziliane ka premtuar t’ia kalojë Ministrisë së Financave mbikëqyrjen e agjencive të basteve online, duket se largimi përfundimtar i këtyre skandaleve nga futbolli i vendit është ende një rrugë shumë e gjatë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: