Nikolo Barela ka folur në prag të ndeshjes së Italisë kundër Estonisë, duke komentuar gjendjen e ekipit dhe atmosferën e re të krijuar me trajnerin Xhenaro Gatuso.
Mesfushori i Interit nuk e fshehu se Kombëtarja ka kaluar një periudhë të vështirë: “Ka pasur shumë gjëra që nuk kanë funksionuar”, tha ai për “Sky”.
“Në dy drejtimet e fundit, si në fundin e epokës së Mancinit ashtu edhe me Spalettin, kemi hasur vështirësi të mëdha. Sot gjëja më e rëndësishme është të ritakohemi si grup dhe të ndjekim udhëzimet e trajnerit”, shtoi ai.
Barela vlerësoi ndikimin e menjëhershëm të Gatusos: “Ai na ka dhënë qetësi dhe besim. Na ka bërë të stërvitemi me seriozitet, por edhe me entuziazëm. Detyra jonë është që t’i kthejmë këtë besim me paraqitjet tona në fushë, duke treguar cilësitë që gjithmonë i kemi pasur, por që kohët e fundit i kemi shfaqur më pak”.
Sa i përket sfidës me Estoninë, mesfushori italian tha se nuk dihet ende kush do të zbresë në fushë si titullar: “Nëse do të luaj me Tonalin do të jetë një kënaqësi, por kjo vlen për të gjithë mesfushorët e tjerë. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë kohezion mes nesh, një element që gjithmonë ka karakterizuar Italinë, veçanërisht në Europianin e fituar.” Përvoja e Gatusos në Kombëtare, sipas Barelas, është një garanci: “Ai ka luajtur shumë ndeshje me fanellën e Italisë dhe ka ngritur trofe të rëndësishëm. Pikërisht kjo na ndihmon, sepse po na rikthen dëshirën për të qëndruar bashkë dhe për të punuar me motivim të madh”.
Mesfushori e la të hapur çështjen e modulit të lojës, por e bëri të qartë objektivin: “Skema ende nuk dihet, por gjëja më e rëndësishme është të fitojmë dhe të shënojmë sa më shumë.
Diferenca e golave mund të jetë vendimtare. Duhet të hyjmë në fushë me uri, krenari dhe dëshirë për të dhënë gjithçka, por edhe për t’u kënaqur duke luajtur”.
Me këto fjalë, Barela ka përçuar atmosferën e re që po frymëzon Kombëtaren. Italia kërkon jo vetëm rikthimin e rezultateve, por edhe të identitetit që e bëri të madhe në Europian. Dhe mesazhi i tij është i qartë: uniteti dhe besimi do të jenë armët kryesore për t’u ringritur.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: