Tottenham Hotspur ka konfirmuar dorëheqjen e menjëhershme të Daniel Levy-t pas pothuajse një çerek shekulli në krye të klubit. Levy, i cili mori drejtimin në vitin 2001, e cilësoi periudhën e tij si një rrugëtim të jashtëzakonshëm:
“Jam jashtëzakonisht krenar për punën që kemi bërë së bashku. E kemi ndërtuar Tottenhamin klub me peshë globale dhe mbi të gjitha kemi krijuar një komunitet. Dua të falënderoj të gjithë tifozët që më kanë mbështetur ndër vite. Nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, por kemi bërë hapa të mëdhenj përpara.”
Nën drejtimin e tij, Spurs u kthyen në një skuadër elitare europiane. Klubi arriti finalen e Champions League në vitin 2019 dhe ndërtimi i stadiumit modern Tottenham Hotspur Stadium solli të ardhura të reja përmes ndeshjeve të Premier League, por edhe eventeve të mëdha si takimet e NFL-së.
Megjithatë, marrëdhënia e Levy-t me tifozët shpesh ka qenë e tensionuar. Kritikat më të mëdha lidhen me mungesën e investimeve në skuadër. Tottenhami ka pasur vetëm një vend në top-katërshen e Premier League-s që nga sezoni 2018-19, ndërsa edicioni i fundit përfundoi me vendin e 17-të në Premier League. Fitorja e Europa League shpëtoi sezonin dhe riktheu skuadrën në Champions, por zhgënjimi mbetet.
Sipas ‘The Athletic’, Tottenhami kishte raportin më të ulët të pagave me të ardhurat në Europë (42%), shumë më poshtë se rivalët që kanë fituar tituj. Kritikët e kanë parë këtë si shenjë të një menaxhimi tepër kursimtar, që pengoi ambiciet e klubit.
Pavarësisht dorëheqjes, struktura e pronësisë nuk ndryshon. Tifozët shpresojnë se pasardhësi i Levy-t do të jetë më i hapur për investime, duke e çuar Tottenhamin drejt sfidës për titullin e Premier League, një hap që shumë mendojnë se nuk u realizua kurrë me Levy-n në krye.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: