Monza, Hamilton kërkon rilindjen te Ferrari: Shoh dritën në fund të tunelit

Monza, Hamilton kërkon rilindjen te Ferrari: Shoh dritën në fund të tunelit

16:25, 04/09/2025

Formula 1 mbërrin në Monza dhe vëmendja kryesore është te Lewis Hamilton, i cili për herë të parë garon në Itali si pilot i Ferrarit. Pas një fillimi të vështirë sezoni dhe një gabimi të rëndë në Zandvoort, ku doli nga gara duke dëmtuar makinën, shtatë herë kampioni i botës shpreson të kthejë faqen në “tempullin e shpejtësisë”. Në konferencën për shtyp, ai u shpreh optimist: “Më pëlqen të mendoj se po shohim dritën në fund të tunelit. Dua të jetoj momentin dhe të mos shqetësohem për të nesërmen”.

Hamilton tha se dashuria e tifozëve të Ferrarit është e jashtëzakonshme. Ai përjetoi emocione të forta gjatë pritjes në Milano dhe Maranello, duke theksuar se çdo garë për të është një eksperiencë e re. Kujtoi gjithashtu se Leclerc fitoi në Monza-n vitin e kaluar dhe se Ferrari historikisht ka performuar mirë këtu. Sa i përket zgjedhjes për të kaluar te Ferrari, ai tha se ishte i frymëzuar nga Michael Schumacher, ndërsa mbetet i lidhur shpirtërisht me Niki Lauda: “Ai ishte një luftëtar dhe e di çfarë do të më thoshte tani”.

Britaniku do të nisë garën me një penalizim prej pesë pozicionesh për incidentin në Holandë, gjë që, sipas tij, e shtyn edhe më shumë të luftojë për rikuperim. Ai la të hapur mundësinë për të ndihmuar shokun e skuadrës Leclerc gjatë kualifikimeve, nëse kërkohet nga ekipi.

Në konferencë folën edhe pilotë të tjerë. Kimi Antonelli, debutuesi italian i Mercedes, e cilësoi Monzën si një garë shumë të veçantë, duke theksuar se këtë vit ndjehet më i përgatitur dhe i fokusuar. Fernando Alonso u shpreh se Aston Martin ka bërë përparime dhe tani është më konkurruese për pikë, ndërsa Carlos Sainz e cilësoi pistën e Monzës si një nga të preferuarat e tij.

Në pritje të një fundjave spektakolare, atmosfera në Monza është ndezur, me tifozët e Ferrarit që presin një garë të madhe nga kampioni i ri i tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco