Barcelona ka zyrtarizuar listën e saj të futbollistëve për fazën e grupeve të Champions League dhe ndër emrat e përzgjedhur bie në sy ai i talentit suedez, Roony Bardghji. 19-vjeçari, i cili nuk u regjistrua si lojtar i ekipit të parë në La Liga, do të ketë mundësinë të debutojë në garën më të madhe europiane, ku do të mbajë fanellën me numrin 28. Në prezantimin e tij te Barça, Bardghji kishte dalë me numrin 19.
Lista A e klubit katalanas përbëhet nga 23 lojtarë: tre portierë (Joan Garcia, Szczesny dhe Ter Stegen), tetë mbrojtës (Koundé, Eric Garcia, Cubarsí, Araujo, Christensen, Gerard Martín dhe Casadó), katër mesfushorë (Pedri, De Jong, Gavi dhe Marc Bernal) dhe tetë sulmues (Olmo, Fermín, Lamine Yamal, Raphinha, Ferran Torres, Rashford, Lewandowski dhe Bardghji).
Ndërkohë, emra të tillë si Guille Fernández, Toni Fernández, Dro, Jofre Torrents dhe Kochen nuk figurojnë në këtë listë, pasi mund të regjistrohen në Listën B, të rezervuar për lojtarët e akademisë që kanë të paktën dy vite te Barça. Këta futbollistë mund të shtohen deri 24 orë para çdo ndeshjeje, çka i jep trajnerit Hansi Flick mundësinë t’i aktivizojë në Champions.
Në listë është përfshirë edhe portieri gjerman Marc ter Stegen, i cili mbetet i dëmtuar, por mund të rikthehet në fushë në dhjetor, duke qenë i disponueshëm për ndeshjet vendimtare para fazës me eliminim direkt.
Barcelona nis kështu aventurën e saj europiane me një përzierje të lojtarëve me eksperiencë dhe talenteve të rinj, duke i dhënë hapësirë të menjëhershme Bardghji-t për t’u shfaqur në skenën më të madhe.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: