Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, doli para medieve në prag të sfidës ndaj Bullgarisë, në Sofje, e cila shënon nisjen e rrugëtimit të “La Roja”-s drejt Kupës së Botës 2026. Në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe legjenda Hristo Stoichkov.
De la Fuente e vlerësoi maksimalisht përballjen, duke theksuar vështirësitë që sjell rivali, atmosfera dhe periudha e sezonit: “Do të jetë shumë e komplikuar, duhet të japim më të mirën tonë”.
I pyetur për lojtarët, trajneri u shpreh se Carvajal dhe Rodrigo janë gati për të luajtur, ndërsa veçoi historinë e De Frutos, të cilin e quajti shembull për këmbëngulje dhe energji pozitive.
Në lidhje me golat e pësuar, tekniku pranoi se skuadra duhet të përmirësohet, por pa e ndryshuar filozofinë e saj: “Ne jemi të fokusuar në sulm, sulm dhe sulm. Sigurisht që duam të jemi më të fortë prapa, por pa hequr dorë nga identiteti ynë”.
Ai foli edhe për ‘yjet’ e skuadrës: Pedri, që sipas tij ka ndikim të madh kudo që luan, si dhe Lamine Yamal, për të cilin De la Fuente tha: “E njoh që 16 vjeç, është ende fëmijë. Duhet ta edukojmë dhe ta ndihmojmë, megjithatë është shumë i pjekur dhe i fokusuar”.
Duke iu referuar atmosferës brenda grupit, trajneri theksoi se nuk ka pasur probleme me egot: “S’kam pasur nevojë të korrigjoj askënd. Sjellja e lojtarëve është fantastike, janë shembullorë”.
Në fund, ai nënvizoi se Spanja mbetet besnike ndaj një ideje loje ku gjithçka vihet në shërbim të ekipit, duke shtuar se e respekton talentin e futbollit bullgar, edhe pse e di që rikthimi i lavdisë së dikurshme është i vështirë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: