Gianluigi Donnarumma ka qenë një nga emrat kryesorë të merkatos së verës, duke lënë Paris Saint-Germain pas katër vitesh dhe duke u transferuar te Manchester City. Portieri i kombëtares italiane u shpreh krenar që u kërkua me ngulm nga Pep Guardiola dhe nga klubi që e cilëson si më të fortin në botë: “Është një emocion i jashtëzakonshëm. Guardiola më ka dashur fort dhe kjo më nderon. Jam i bindur se mund të përmirësohem shumë nën drejtimin e tij”.
Para se të nisë aventurën e re në Angli, Donnarumma duhet të mbrojë portën e Italisë në dy ndeshjet e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 kundër Estonisë dhe Izraelit. Ai foli me entuziazëm për rikthimin e Gennaro Gattusos si trajner: “E kam pasur edhe te Milani, jam i lumtur që e gjeta këtu. Po punon fort, po i jep shpirt ekipit dhe ne duhet të bëhemi një grup i bashkuar për të rikthyer Italinë aty ku meriton”.
Kapiteni i “Azzurrëve” kujtoi edhe përvojën te PSG, ku arriti të fitonte Champions League si protagonist: “Katër vite të mrekullueshme, por sezoni i fundit ishte më i bukuri i karrierës sime. Jam krenar për këtë dhe dua të fitoj ende trofe të rinj”.
Pas humbjes me Norvegjinë në qershor, Italia nuk ka më hapësirë për gabime: “Duhet të dimë të ngrihemi sërish si skuadër. Me Gattuson po punojmë për këtë dhe duam të japim sinjal të fortë që nga ndeshja me Estoninë”.
Donnarumma nuk la pa përmendur edhe ish-trajnerin Luis Enrique, me të cilin tha se ka pasur gjithmonë marrëdhënie korrekte, duke theksuar se mbi gjithçka çmoi mbështetjen e shokëve të skuadrës në Paris.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: